Hetuesit rusë, në Turqi. Putin-Erdogan: Qëllimi i sulmit, të dëmtojë raportet tona

20/12/2016 00:00

Moska dërgoi ekspertët e saj në Turqi për të hetuar vrasjen e bujshme të ambasadorit Andrei Karlov nga një polic turk.

Mevlut Mert Aydintas e qëlloi diplomatin e lartë në kohën kur ai po mbante fjalën në ceremoninë e hapjes së një galerie arti. Gjesti i tij, sipas asaj që edhe vet autori tha pas të shtënave, ishte protestë ndaj përfshirjes së Moskës në Aleppo.

Megjithatë nuk u interpretua kështu nga të dy vendet, që pas përplasjeve prej avionit rus të rrëzuar në Turqi nisën të afrohen pikërisht prej krizës së Aleppos, armëpushimin e të cilit e ndërmjetësuan bashkë.

“Ky krim është pa dyshimin më të vogël një provokim që kërkon të cënojë normalizimin e marrëdhënieve Rusi-Turqi e të devijojë procesin e paqes në Siri, të promovuar nga Rusia, Turqia, Irani dhe vende të tjera të interesuara në fashitjen e konfliktit sirian”, tha Putin.

“Sulmin ndaj Ambasadës ruse unë e konsideroj një sulm ndaj Turqisë, ndaj shtetit dhe kombit turk. Ky është provokim, kjo nuk diskutohet. Ata që duan të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona nuk do t’ia dalin dot”, tha Erdogan.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani i mbyllën ambasadat e tyre pas incidentit tronditës, ndërsa siguria në selinë diplomatike të Rusisë është forcuar ndjeshëm. Këshilli i Sigurimit e dënoi ashpër vrasjen e Karlovit. Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon u shpreh i “tmerruar” nga ky akt i pakuptimtë terrori.

Një sërë vendesh ngritën zërin ndaj këtij akti, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Gjermaninë. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump i bëri thirrje botës të ndryshojë mënyrën e të menduarit, si pas episodit të dhunshëm të Ankarasë, ashtu edhe të sulmit ndaj tregut të Krishtlindjes në Berlin.

Një zyrtar turk, ndërkohë, – i cituar nga “Zëri i Amerikës”, – pretendon se ka “shenja të forta” që agresori i vrarë nga forcat e sigurisë ishte pasues i klerikut mysliman Fetullah Gulen.

Top Channel