Cana mes legjendave, Marseille vlerëson ish-mbrojtësin

19/12/2016 00:00

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, mbylli shumë shpejt pushimet në Dubai me familjen, për një arsye të veçantë.

Duhej të ishte prezent mes tifozerisë që ka dashur më shumë në të gjitha klubet ku ka qenë në karrierën e tij impresionuese. Futbollisti nga Gjakova ishte mes emrave që kanë lënë shenjë në ekipin e Olimpikut të Marsejës ndër vite, i ftuar për të qenë pjesë në një ceremoni nderimi në stadiumin “Velodrom”.

Loriku ishte mes më të kërkuarve për autografe dhe foto nga ana e tifozëve marsejezë që ende nuk e kanë harruar mbrojtësin që me dyluftimet e tij në “Velodrom”, fitoi me meritë nofkën “Luftëtari”.

Cana, por jo vetëm, ishte i ftuar për ndeshjen e fundit të 2016 në “Velodrom”, atë që Marseja zhvilloi ndaj Lilës. Vlerësim veç futbollistit shqiptar, morën dhe Jean-Pierre Papin, Abedi Pele, Fabricio Ravanelli, Joslin Angloma, Jean Tigana apo Alain Boghossian.

Edhe në fushë, Marseja nderoi pjesëmarrjen e personazheve VIP, duke fituar 2-0 me Lilën. Golat në stadiumin e  qytetit port, u shënuan nga Gomi dhe Tovin.

Top Channel