Obiliq, Mustafa vë gurthemelin e Qendrës së Kulturës

19/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vuri gurthemelin e Qendrës së Kulturës në Obiliq, e cila do të mbajë emrin e heroit të kombit, Xhavit Haziri.

Në ceremoninë e kësaj të hëne, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala; kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi; si dhe shumë personalitete dhe qytetarë të Obiliqit, kryeministri Mustafa tha se kjo komunë e ka merituar prej kohësh të ketë një Shtëpi Kulture, të ketë objekte kulturore dhe objekte të tjera, si një qytet i afërt me Prishtinën.

“I gëzohem kësaj, sepse e di në çfarë gjendje ka qenë Shtëpia e mëparshme e Kulturës. Të rinjtë dhe qytetarët e Obiliqit meritojnë të kenë ambiente më të mira kulturore, prandaj përgëzoj kryetarin e Komunës për këtë investim të rëndësishëm që po bëhet këtu, si dhe Ministrinë e Kulturës bashkërisht”, tha Mustafa.

Më tej, Mustafa përgëzoi qytetarët edhe për ligjin për Obiliqin, të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si një ligj tepër i rëndësishëm, i cili do t’i mundësojë komunës që të ketë burime zhvillimore dhe trajtim shumë më të mirë të ambientit dhe të investimeve e të infrastrukturës.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se ndërtimi i Qendrës së Kulturës është një ëndërr e vjetër e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, si dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve që merren me artin e kulturën, ëndërr kjo që sipas Gashit shumë shpejt do të bëhet realitet.

Me këtë rast, kryetari i Obiliqit falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala, që me përkushtim e trajtuan kërkesën për fillimin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës.

Top Channel