Obama fajëson të tijtë për humbjen: Nuk shkuam te njerëzit

19/12/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama fajësoi strategjinë e partisë së tij në fushatë, duke thënë se demokratët pësuan humbje të rënda në zgjedhjet e muajit të kaluar pasi nuk bënë fushatë në zonat rurale që kanë plot probleme.

Obama mori një pjesë të fajit dhe shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Hillary Clintonit, por tha se kandidatët demokratë në të ardhmen duhet të shkojnë në terren. Sipas tij, pikërisht kjo ndodhi në zgjedhje, pasi demokratët, duke konsideruar shumë zona të sigurta, nuk bënë atje fushatë, nuk shkuan te njerëzit, e si pasojë humbën bindshëm.

Clinton fitoi kryesisht në zonat urbane dhe bregdet dhe u akuzua nga kritikët se injoroi shtete si Wisconsin dhe Iowa. Obama tha se demokratët nuk u përpoqën që të tërhiqnin edhe votuesit jashtë qendrave të popullura, ndërsa humbjet në garat shtetërore dhe lokale tregojnë problemet e partisë.

“Ne dështuam dhe nuk u treguam dot njerëzve në zonat rurale se luftojmë për ta dhe jemi të lidhur me ta. Që ta arrinim këtë, ne duhej të ishim shfaqur pranë tyre dhe kjo do t’u jepte njerëzve besim”, deklaroi Obama.

Presidenti i SHBA-ve bëri mjaft fushatë për Clintonin në shtete si Florida, Karolina e Veriut, Ohio dhe Pensilvani, udhëtime që zyrtarë të ndryshëm thonë se u diktuan nga shtabi i Clintonit dhe jo Shtëpia e Bardhë. Madje, në fund të fushatës, kur Obama kërkoi të shkonte në Iowa, ekipi i Clintonit e hodhi poshtë idenë dhe e dërgoi presidentin në zona që ata mendonin se ishin më të luftuara.

Top Channel