Turqi, akuza për shkollën gjermane: Vodhi Krishtlindjen

19/12/2016 00:00

Raportet në media se një shkollë gjermane në Turqi ndaloi festimet e Krishtlindjes kanë shkaktuar zemërim në Gjermani, pavarësisht një mohimi të pjesshëm nga administrata e shkollës.

Sipas medieve gjermane, stafi i shkollës dygjuhëshe “Instanbul Lisesi” mori urdhër se nuk do të lejoheshin më traditat e Krishtlindjes dhe këndimi i këngëve për këtë festë. Por shkolla njoftoi se këto raporte nuk janë një pasqyrim i së vërtetës, pa sqaruar më tej.

Javën e kaluar, gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung” publikoi një “e-mail” që kishin marrë mësuesit e shkollës, në të cilin ata urdhëroheshin që të mos flisnin në mësim për traditat e Krishtlindjes dhe të mos këndohen këngët që shoqërojnë këtë festë.

Politikanët në Gjermani reaguan me zemërim për këtë vendim. Cem Özdemir, bashkëkryetari me origjinë turke i “Partisë së Gjelbër”, tha se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është i vendosur të çrrënjosë shumëllojshmërinë etnike dhe fetare, pasi ndihet i kërcënuar edhe nga këngët e Krishtlindjes.

Julia Klockner, nga kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel, tha se ata që duan të zhdukin lirinë e mendimit janë të aftë të bëjnë edhe më shumë. Ministria e Jashtme gjermane tha se nuk e kupton vendimin e shkollës dhe do të përpiqet të flasë me autoritetet turke.

Kjo ngjarje dominoi mediet gjermane dhe njëra prej tyre, gazeta “Die Welt” publikoi një karikaturë, ku Erdogan shfaqet si Grinçi që vodhi Krishtlindjen.

Top Channel