Ndihma amerikane, fond 3 mln dollarë për reformën dhe antikrimin

19/12/2016 00:00

Nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së firmosur në vitin 2015 mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, Amerika ka vendosur të akordojë 3 milionë dollarë shtesë për kontrollin e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe të “vetting”-ut.

Të pranishëm në Komisionin e Jashtëm, zv.ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë shpjeguan se ku do shpërndahet kjo shtesë.

“Rritja e aftësisë së prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale, zhvillimin e një sistemi të drejtësisë penale përmes përmirësimit të legjislacionit duke asistuar Gjyqësorin për të gjykuar rastet brenda termave kohorë, në mënyrë efiçente, të paanshme dhe etike. Duke rritur aksesin e shoqërisë civile kundrejt drejtësisë; duke monitoruar zbatimin e reformave në drejtësi, si dhe duke mbikëqyrur verifikimin e Gjyqësorit në koordinim me Komisionin Europian”, tha Elona Gjebrea.

“Kjo nuk bën asgjë tjetër veçse ndihmon në atë pjesë ku ne jemi të gjithë të shqetësuar, Reformën në Drejtësi dhe sidomos reformën në Drejtësinë Penale, për të cilën ne vazhdimisht jemi të shqetësuar”, tha Arben Isaraj.

Asnjë prej deputetëve të pranishëm nuk pati kundërshti për këtë marrëveshje, por deputeti demokrat Aldo Bumçi kërkoi shpjegime nga dy zv.ministrat lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit, duke përsëritur edhe njëherë akuzat e opozitës se ai ka mbrojtje nga qeveria.

Top Channel