Rusi, ngatërruan substancën toksike për alkool, 41 të vdekur

19/12/2016 00:00

Të paktën 41 persona kanë ndërruar jetë në qytetin siberian të Irkutsk, pasi kanë konsumuar një përbërje të përshtatshme për dush, e lëngshme, e që sipas Komitetit Investigativ të Rusisë është konsideruar si të ishte pije alkoolike.

Esenca e lëngshme me erë murrizi ka lënë gjithashtu edhe 16 persona të tjerë në gjendje kritike për jetën. Deri më tani janë arrestuar dy persona si shkaktarë të vdekjeve, ndërkohë që policia ka nisur një aksion për heqjen e këtyre shisheve nga dyqanet. Hetuesit thonë se, paralajmërimi për të mos lejuar gëlltitjen e tij është injoruar.

Produkti ka pasur në përbërjen e tij metanol, një lëndë toksike që gjendet edhe në përbërjet “antingrirje”. Në Irkutsk është shpallur gjendja e emergjencës, ndërsa agjencia kryesore e hetimit në Rusi ka hapur një hetim për incidentin.

Media ruse raporton se viktimat ishin njerëz të varfër të grupmoshave nga 35 deri në 50 vjeç, por që nuk ndodheshin në të njëjtin ambient konsumimi.

Produktet e prodhuara në kushte shtëpiake shihen shpesh si alternativat më të lira për pijedashësit në ish-Bashkimin Sovjetik. E ndërsa varësia ndaj alkoolit është e zakontë, ky i sotmi përbën edhe një prej incidenteve më vdekjeprurëse në vite të tëra.

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin e përshkroi rastin si një “tragjedi e tmerrshme”, ndërsa kryeministri Dmitry Medvedev i tha kabinetit të tij se autoritetet duhet të ndalojnë me shpejtësi të tilla substanca. “Është një fatkeqësi dhe ne duhet t’i japim fund kësaj”, tha ai në një deklaratë për mediet.

Muajin e kaluar, zv.kryeministri rus Alexander Khloponin tha se barnat dhe parfumet shfrytëzohen nga 20 për qind e pijedashësve në mbarë vendin.

Top Channel