19-vjeçarja nga Porto Riko shpallet Miss Bota

19/12/2016 00:00

Miss bota është një studente 19-vjeçare nga Porto Riko që flet spanjishten, anglishten e frëngjishten dhe shpreson të hyjë në botën e spektaklit.

Stephanie Del Valle la pas në finale dy konkurrentet nga Republika Domenikane dhe Indonezia, për të marrë çmimin e madh të edicionit të 66 të konkursit të bukurisë, të mbajtur këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Kurorën ia dorëzoi fituesja e trofesë së një viti më parë, spanjollja Mieria Lalaguna. Del Valle e quajti nder dhe përgjegjësi të madhe përfaqësimin e vendit të saj të lindjes.

19-vjeçarja bëhet e dyta mbajtëse e këtij titulli për shtetin-ishull, pas Wilnelia Mercedit në vitin 1975. Gara e sivjetshme, ku morën pjesë përfaqësuese të më shumë se 100 vendeve të botës, ishte mjaft e fortë.

Konkursit nuk i munguan megjithatë polemikat. Përfaqësuesja e Kanadasë në Miss Bota, Anastasia Lin e lindur në Kinë, u përfshi në një zënkë me organizatorët, të cilët e paralajmëruan që për tri javë të mos fliste me gazetarët mbi abuzimet me të drejtat e njeriut në shtetin komunist.

Eventi sponsorizohet në masë të madhe nga kompanitë kineze. “Drita jeshile” për të shprehur mendimin e saj iu dha vetëm të mërkurën. Në vitin 2015, Kina ia ndaloi Linit pjesëmarrjen në të njëjtin konkurs, kur ai u zhvillua në qytetin e Sanyas, ndaj drejtuesit e tij i premtuan ta lejonin të garonte sërish një vit më vonë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel