Itali, 9 vite burg për italianen e parë të ISIS-it. Burg dhe për burrin shqiptar

19/12/2016 00:00

Plot 9 vite burgim janë dhënë për të parën luftëtare italiane të ISIS-it. Vendimi është marrë nga Gjykata e Assises në Milano dhe është dhënë për Maria Giulia Sergio, e njohur ndryshe edhe si “Fatima”, e cila u nis për në Siri mbi dy vite më parë për t’iu bashkuar grupit xhihadist.

Një vendim që konfirmon kërkesat e prokurorëve Maurizio Romanelli dhe Paola Pirotta, e që përfaqëson të parin dënim për një luftëtare në zonën e luftës. Maria Giulia Sergio rezulton ende e arratisur, prej së cilës nuk kanë dëgjuar më asgjë që prej bisedës në “Skype” me “Corriere della Sera” në korrik të vitit të kaluar.

Gjithsesi, veç saj është dënuar edhe babai i 29-vjeçares, Sergio Sergio, me 4 vite burgim, si dhe bashkëshorti shqiptar i saj Aldo Kobuzi, me 10 vite heqje lirie. I njëjti dënim edhe për rekrutuesen Bushra Haik, e cila gjendet aktualisht në Arabinë Saudite. Akuza që bie mbi Sergio Sergio, të vetmin mes të dyshuarve që nuk është arratisur, është për organizim dhe financim nën presionin e së bijës, të udhëtimit të familjes së saj drejt kalifatit me pasoja terroriste. Për të, prokuroria kishte kërkuar 3 vite e 4 muaj burgim, duke njohur edhe rrethanat lehtësuese.

“Është një dënim për të cilin sigurisht nuk bie dakord, ndaj dhe do ta apeloj”, thotë për “Corriere della Sera” avokatja e babait të xhihadistes italiane, Erika Galati.

Megjithatë, figura qendrore në hetim janë femrat. “Luftimi nuk është detyrë e atyre, – ka shpjeguar prokurori Romanelli pak pasi kishte dorëzuar ADN-në gjatë hetimit përfundimtar. – Sepse bazuar në rregullat e kalifatit, nuk mund të kihet barazi gjinore në rrugën drejt martirizimit dhe parajsës. Fatima, përkundër kësaj, është trajnuar për përdorimin e armëve, siç tregon në telefonatat për familjen që duhej t’i bashkohej asaj”.

Në përgjimet e kryera, e reja iu ka thënë prindërve të saj se “xhihadi ishte aksioni më i madh dhe i merituar. Shpresoj çdo ditë që kalifi të japë autorizimin edhe për femrat” për të luftuar.

“Femrat, gjithsesi, kanë një mision po aq të rëndësishëm: atë të indoktrinimit të femrave të tjera”, ka shtuar prokurori.

Avokatja mbrojtëse e Sergios, Erika Galati ka nënvizuar sesi meshkujt ishin “kopjuar” nga vajzat e tij dhe se donte të nisej “për t’u bashkuar me Maria Giulian”, por jo për t’u kthyer në një xhihadist.

Rruga e saj e radikalizimit është përshkruar kështu nga prokurori Romanelli. “Ishte një vajzë e re e konvertuar në fenë myslimane dhe kishte marrë gradualisht një përgatitje fetare. Qasja radikale e kishte detyruar të zgjidhte si bashkëshort, në martesën e saj të dytë, një person që do t’i bashkohej Shtetit Islamik. Në fund kishte rënë në kontakt me Aldo Kobuzi dhe kishte organizuar martesën. Një martesë tërësisht e kombinuar, që nuk gjen asnjë arsye në planin e marrëdhënieve mes personave, por vetëm në lidhje me funksionet. Dy bashkëshortët nuk njiheshin, përveçse përmes kompjuterit, me anë të të cilit Fatima e kishte vendosur Kobuzin përballë një testi besueshmërie fetare”.

Gjithsesi, babai Sergio Sergio, nëna (tashmë e vdekur) dhe motra Marianna (e dënuar me 5 vite e 4 muaj) nuk arritën t’i bashkoheshin Fatimas, pasi u arrestuan në momentin që do të niseshin në korrik të 2015-s.

Top Channel