Chelsea, Conte: Mund të ndërhyjmë në merkato

19/12/2016 00:00

Chelsea mund të ndërhyjë në merkaton e janarit për t’u përforcuar. Është vetë trajneri Antonio Conte ai që e ka e ka deklaruar këtë, duke theksuar se gjithçka do të bëhet duke biseduar edhe me drejtuesit e klubit.

Gjatë verës, te Chelsea erdhën Kante, Batshuayi, Alonso e David Luiz, ndërkohë që Oscar është shumë pranë largimit drejt Kinës dhe Conte me siguri do kërkojë zëvendësuesin e tij.

“Jemi të kënaqur për mënyrën sesi po shkojnë gjërat, por ne duam të mbyllim sezonin sa më mirë dhe për këtë arsye po kërkoj zgjidhjet e duhura së bashku me drejtuesit e klubit. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar, por në këtë situatë është e rëndësishme të diskutohet dhe unë i kam idetë e mia”, deklaroi Conte.

Chelsea në këtë pjesë të sezonit po shfaqet në një formë të shkëlqyer. Blutë, ndaj Crystal Palace regjistruan fitoren e 11 radhazi në Premier League, por për Conten skuadra ka ende vend për përmirësime, sidomos në aspektin e realizimit të golave. Sipas tij, futbollistët duhet të jenë më cinikë përballë portave të skuadrave kundërshtare, në mënyrë që të mos i komplikojnë ndeshjet.

Top Channel