Ekipi privat i sigurisë, ekspertët: Trump po luan me zjarrin!

19/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka punësuar nëj ekip privat për sigurinë dhe kundërzbulimin në mitingjet e tij të zhvilluara gjatë turit të falenderimeve, ndërsa burime me njohje nga planet e tij thonë se, disa prej tyre mund të mbeten në ekip pasi ai të bëhet president.

Marrëveshja përfaqëson një kthesë të rëndësishme nga tradita. Kjo, sepse të gjithë presidentët e kohëve moderne, apo presidentët e zgjedhur, ua kanë besuar sigurinë e tyre personale tërëissht Shërbimeve Sekrete të vendit, ndërsa për ngjarje të tilla si mitingjet te forcat ligjzbatuese lokale, bëjnë të ditur ekspertë për sigurinë e presidentëve dhe burime të shërbimeve sekrete.

Por Trumpi, i cili ka vendosur një sistem premiosh ndaj besnikërisë dhe ka shfaqur një interesim të madh për pasjen e një sigurie tejet të fortë gjatë mitingjeve, ka vendosur të mbajë forcën private te sigurisë, tejet agresive dhe e paprecedentë, të udhëhequr nga Keith Schiller, një polic i dalë në pension nga Nju Jork Siti dhe veteran i forcave detare, i cili nisi të punonte për Trumpin në vitin 1999 si një truprojë me kohë të pjesshme, e që tashmë është kthyer në kreun e ekipit të sigurisë së tij.

Zyrtarë të sigurisë paralajmërojnë se punësimi i një personeli privat sigurie shton rreziqet për presidentin e zgjedhur dhe ekipin e tij, sikurse edhe për protestuesit, dhjetëra prej të cilëve pretendojnë profilizimin racor, përdorimin e forcës së tepruar apo agresionit nga përfaqësues të sigurisë së Trumpit. Të paktën 10 prej tyre i janë bashkuar 3 padive penale në pritje kundër Trumpit, drejtuesve të fushatës së tij apo forcave private të sigurisë.

“Ai po luan me zjarrin”, thotë Jonathan Wackrow, një ish-agjent i shërbimeve sekrete, i cili ka punuar për presidentin Barack Obama gjatë fushatës zgjedhore për rizgjedhjen e tij në vitin 2012. Duke pasur një ekip privat sigurie, që marrin përsipër ngjarje lokale, paralel me Shërbimet Sekrete “shton përgjegjësinë e Shërbimeve Sekrete. Kjo krijon një konfuzion tepër të madh dhe paraqet edhe rreziqe më të mëdha”, thotë Wackrow.

“Askush nuk dëshiron të përziejë funksionin e policisë me funksionet e një sigurie private”, tha ai, duke shtuar më tej se “është tejet e vështirë dhe thuajse jonormale që të flasësh për detajet e sigurisë me personat e besuar privatë dhe ata që kanë përgjegjësi për mitingjet”.

Wackrow, i cili u largua nga Shërbimet Sekrete në vitin 2014 dhe tashmë është drejtor ekzekutiv i një kompanie sigurie të quajtur “RANE”, tha se nëse do të ishte kryeagjenti në një miting të Trumpit “nuk do ta lejonte atë”. Ai sugjeroi se një gjë e tillë do të ishte një situatë e pakuptimtë për Shërbimet Sekrete. “Çfarë duhet të bëjnë ata? Të nisin një betejë me presidentin e zgjedhur dhe këshilltarët e tij? Kjo nuk është mënyra e duhur për të nisur një romancë”, shton ai.

Në të kaluarën, disa kandidatë presidencialë kanë shfrytëzuar ekipet private të sigurisë, përfshi këtu edhe rastin e guvernatorëve që garojnë për president. Por ekspertët thonë se nuk mund ta mendojnë shembullin e një presidenti të zgjedhur që vijon të mbajë ekipin privat të sigurisë pas ditës së zgjedhjeve, atëherë kur mbrojtja nga Shërbimet Sekrete shtohet në mënyrë dramatike për fituesin. Megjithatë, shpenzimet e Trumpit për sigurinë private kanë pësuar rritje aktualisht, edhe pasi atij i është akorduar mbrojtja e Shërbimeve Sekrete prej nëntorit të 2015-s.

Top Channel