Patos, banorët e Zharrës: Lëkundja, nga kompania e naftës

19/12/2016 00:00

Banorët e Zharrzës, në Patos, por dhe ata të fshatrave përreth bllokuan rrugën nacionale Fier-Berat, në një protestë që nisi në orët epara të mëngjesit, që prej rënies së një tërmeti.

Lëkundja, që u ndje dhe në qytetin e Fierit, u regjistrua në orën 01:19, me një magnitudë 4.2, sipas Qendrës Sizmologjike Euro-mesdhetare. Por banorët akuzojnë kompaninë naftënxjerrëse se me shpërthimet e saj në zonë shkaktoi këtë lëkundje.

“Dolëm në rrugë, shkuam te vendi ku bëhen plasjet, por na përzuri policia”, tha një banor.

“S’ishte tërmet ai. Erdhi nga poshtë. Unë para dy vjetësh e rregullova shtëpinë, s’kam më para”, u shpreh një tjetër.

“Na rrëzuan shtëpinë. Po na varrosin të gjallë”, protestoi një tjetër.

Dëmet janë të mëdha. Banorët thonë se nuk ka shtëtpi që nuk është dëmtuar, përfshirë edhe një shkollë 9-vjeçare. Edhe pse janë siguruar nga prefekti i Fierit se do të vlerësohen dëmet, banorët nuk besojnë më.

Sipas sizmologëve, epiqendra, e lokalizuar 4 km në veri të Patosit, u verifikua në një thellësi prej 2 km nëntokë.

Top Channel