Manjani prezanton amnistinë: Përfitues, gra, të moshuar dhe të mitur

19/12/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka prezantuar në komisionin e ligjeve ligjin e ri për amnistinë, i cili kaloi javën e shkuar në qeveri.

Aminstia, e cila liron të gjithë të burgosurit që janë dënuar deri në 2 vite burgim, ose u ka mbetur për të vujatur deri në 2 vite burg, u cilësua nga anëtarët e komisonit si një amnisti e përqendruar vetëm tek të dënuarit me burgim, pasi personat e dënuar me dënime alternative ose me kusht nuk përfitojnë.

Manjani ka bërë të ditur edhe numrin total të të burgosurve që do të lirohen nga parashikimet e amnistisë.

“Propozohet të lirohen rreth 670 persona, as më shumë e as më pak. Ky është projeksioni që kemi ndërtuar. Nga këta, në përparësi janë 15 gra nga 94 gjithësej, të cilat do të lirohen. Ndërkohë, burra të moshuar janë 7, mbi 60 vjeç dhe që kalojnë kriteret e ndalimit. Mjafton të mos kenë bërë vrasje dhe krime të tjera të rënda. Të mitur janë 8 dhe të sëmurët me sëmundje të përhershme 15. Për arsye të ndryshme është humane që të jenë mes përfituesve”, ka thënë Manjani.

Sipas Manjanit, nga 6.158 persona që u privohet liria për shkak të dënimeve apo paraburgimit në pritje të gjykimit, numri i atyre që do të lirohen përbëjnë edhe numrin e mbipopullimit që kanë aktualisht burgjet në vend.

Gjithashtu, nga amnistia do të përfitojnë ulje me 1 vit nga dënimi që u ka mbetur të gjithë të dënuarit e tjerë, përveç atyre që janë me burgime të përjetshme.

Top Channel