Nis procesi gjyqësor për korrupsion ndaj mikes së presidentes Park

19/12/2016 00:00

Gruaja që qëndron pas krizës politike në Korenë e Jugut, Choi Soon-sil është shfaqur në gjykatë këtë të hënë, aty ku ka nisur edhe procesi gjyqësor me akuzat e ngritura ndaj saj për korrupsion.

Edhe pse ajo vet ka mohuar akuzat, fakti që është mikesha më e ngushtë e presidentes Park Geun-hye nën hetim, e ka bërë atë të vihet nën dyshimin e prokurorëve se ka shfrytëzuar njohjen me kryetaren e shtetit për t’iu bërë presion kompanive të ofrojnë donacione në dy fondacione, paratë e të cilave shkonin për përdorimin vetjak të saj.

Çështja e korrupsionit ka shkaktuar një valë mbarëkombëtare irritimi, si dhe një votim të mëhershëm gjatë këtij muaji të Parlamentit për të hetuar zyrtarisht presidenten Park.

Dalja e Choit përpara gjyqtarëve për një seancë paraprake dëgjimore, para se të nisë gjykimi i saj, përbën edhe herën e parë që ajo del në publik që prej muajit tetor. Edhe pse ajo nuk ishte e detyruar të merrte pjesë në këtë seancë dëgjimore, avokatët e saj thonë se paraqitja e saj është vullnetare.

Ata thonë se ajo donte që e vërteta të dalë në shesh dhe se mohon të gjitha akuzat e ngritura ndaj saj.

“Më vjen keq që kam shkaktuar kaq shumë probleme. Sigurisht që do të angazhohem me besnikëri në këtë proces gjyqësor”, tha Choi Soon-sil.

Një hetim parlamentar i këtij muaji zbuloi se krerët e biznesit kanë pranuar që firmat e tyre kanë dhënë parà për fondacionet e Choit, teksa kompania “Samsung” konfirmon se ka paguar për një kalë dhuratë për vajzën e  saj, një kalorëse profesioniste.

Megjithatë, “Samsung” mohon ta ketë bërë diçka të tillë për të siguruar favore nga presidentja Park. Ndërsa disa firma të tjera kanë pranuar se ishte e vështirë të refuzohej kërkesa e qeverisë.

Park, nga ana e saj, akuzohet se ka luajtur një rol aktiv në këtë çështje korrupsioni, gjë të cilën ajo e mohon me forcë. Gjithsesi, ajo ka pranuar se i ka ofruar akses të papërshtatshëm qeveritar zonjës Choi, përfshi edhe në fjalimet e saj presidenciale, e për këtë ka kërkuar disa herë falje.

Ngjarja ka shkaktuar një irritim të pamasë publik në Korenë e Jugut, duke nxitur demonstrata të mëdha me kërkesën për dorëheqjen e presidentes Park. Votimi që i hapi rrugë hetimit të presidentes ka sjellë edhe pezullimin e kësaj të fundit nga detyrat zyrtare, ndërsa Gjykata Kushtetuese e vendit ka marrë në konsideratë edhe një mocion ndaj saj.

Hëang Kyo-ahn, kryeministri i vendit është bërë president i përkohshëm i vendit.

Top Channel