Veliaj përuron çerdhen nr. 54: Standardet më të mira për fëmijët

19/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e çerdhes numër 54 në njësinë administrative numër 2, e cila ndodhej prej vitesh në një gjendje tejet të amortizuar.

Çerdhja, në të cilën janë regjistruar 88 fëmijë, u përurua nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj. Ai u shpreh se nisma “Adopto një çerdhe” ishte një nga projektet më të suksesshme të bashkisë në vitin e parë të punës.

“Jam shumë entuziast që sot përurojmë një nga çerdhet më të mira në Tiranë, por ndoshta edhe në rajon. Këtu është investuar me cilësi, duke filluar nga dieta e ushqimit të fëmijëve e deri tek higjiena, kuzhina dhe ngrohja. Ky projekt është ndoshta një nga historitë më të suksesshme të vitit tonë të parë në detyrë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar jo vetëm përmirësimit të infrastrukturës, por në të njëjtën kohë edhe rritjes së cilësisë së shërbimit.

“Kemi cilësi jo vetëm në infrastrukturën e godinës, por edhe në cilësinë e shërbimit. Nuk e mendoja se mund të arrinim që në vitin e parë të kishim një raport 1 edukatore për 5 fëmijë, gjë që sot është standard europian. Më mbush me gëzim fakti se sot ka ambasadorë të akredituar në Shqipëri që heqin fëmijët e tyre nga çerdhet private për t’i dërguar në çerdhet publike”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se do t’i kërkohet Këshillit Bashkiak të mbështesë projektin e bashkisë për të rritur investimet në çerdhe, kopshte dhe shkolla.

Top Channel