5 klube në të ardhmen e James Rodriguez

19/12/2016 00:00

Deklarata e James Rodriguez për një largim të mundshëm nga Reali i Madridit ka ndezur zërat e merkatos.

Futbollisti kolumbian ka pranuar se në drejtim të tij kanë ardhur disa oferta dhe se në ditët e ardhshme do të marrë një vendim për të ardhmen. Janë 5 klube që cilësohen si destinacioni i mundshëm i James Rodriguez dhe Manchester United është një prej tyre. “Djajtë e Kuq” e kërkuan kolumbianin edhe përpara se të blinin Pogba, duke i ofruar Realit të Madridit 76 milionë euro, ofertë kjo që u refuzua. Manchester United do të bëjë një tjetër tentativë dhe sipas “The Sun”, skuadra angleze do të shesë Martial në janar për të arritur te James Rodriguez.

Edhe Chelsea e kërkon kolumbianin. Sipas “Mirror”, klubi londinez është gati të ofrojë rreth 90 milionë euro për të siguruar shërbimin e tij, një ofertë që bëhet me kërkesë të Antonio Contes.

Në Itali, është Interi që e ka vënë në shënjestër Rodriguez. Sipas “Corriere dello Sport”, një ardhje e mundshme e kolumbianit mund të injektojë një besim më të madh në projektin dhe iluzionet e skuadrës.

Juventusi është skuadra tjetër e Serisë A që ka hedhur sytë nga James Rodriguez. Torinezët e tentuan blerjen e tij edhe në muajt e verës pas largimit të Pogba, por në fund u kënaqën me blerjen e Pjanic nga Roma. Por, sipas “La Gazzetta dello Sport”, bardhezinjtë duket se e kanë ringjallur interesin për futbollistin për të cilin “Zonja e Vjetër” duket një opsion shumë i mirë.

Skuadra e fundit që mund të konsiderohet si destinacioni i mundshëm i James Rodrguez është Paris Saint Germain, me klubin parizien që ka në anën e tij raportet e mira mes presidentit Al Khelaifi dhe Florentino Perez.

Top Channel