Kosovë, arrestohen 59 policë të akuzuar për ryshfet

19/12/2016 00:00

Policia e Kosovës ka nisur këtë të hënë një aksion të gjerë për arrestimin e policëve të dyshuar për marrje ryshfeti. Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, e ndërmerr këtë operacion pas një hetimi disamujor.

Hilmi Mehmeti, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoriatit Policor të Kosovës, ka thënë se gjatë operacionit të sotëm 59 zyrtarë policorë janë ndaluar dhe janë dërguar në paraburgim, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës.

“Prej tyre, 20 janë të Njësisë së Autostradave; 20 nga Njësiti i Trafikut në veri të Mitrovicës; 15 nga njësiti në jug të Mitrovicës dhe 4 të njësisë së Prizrenit”, ka treguar në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet Mehmeti.

Veprat për të cilat dyshohen zyrtarët e ndaluar policorë janë marrje e ryshfetit dhe dhënia e ndihmës kryesve të mundshëm.

Sipas asaj që njoftuan mediet kosovare, 21 policë ishin arrestuar në Veri të Mitrovicës dhe 14 të tjerë nga stacioni policor i Mitrovicës së Jugut, pas marrjes në pyetje.
 
“Telegrafi” shkruan se të arrestuarit janë policë të trafikut rrugor, të dyshuar për shpërdorim detyre e gjithashtu për marrje ryshfeti. Arrestimet janë konfirmuar më herët edhe nga Arbër Beka, përfaqësues i inspektoriatit policor.

Ndërkohë, “Kosova Press” ka publikuar edhe emrat e policëve të dyshuar për marrje ryshfeti në veri të vendit, të cilët janë si më poshtë: Stevica Ignjatoviç, Srjan Miojeviç, Manojle Vlaskoviç, Milan Jovanoviç, Miljan Miliçeviç, Nedzad Islamoviç, Milan Vitkoviç, Milorad Mitrovic, Slavisa Filipoviç, Branko Radosavljeviç, Branko Radosavljeviç, Srdjan Djoroviç, Srdjan Zivkoviç, Miljan Jovanoviç, Sinisa Milutinoviç, Zmajko Milenkoviç, Zlatomir Simoviç, Vesko Raduloviç, Shefqet Maxhuni, Vojkan Stepiç, Vesko Kandiç, Vladimir Jeftiç.

Top Channel