Kosovë, PDK ruan bastionin e Drenasit. Lladrovci, kryetar komune

19/12/2016 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren e kandidatit të saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të zhvilluara në një prej bastioneve të saj, Drenas. Ramiz Lladrovci do të jetë kryetari i ri i kësaj komune, pasi mposhti në balotazhin e së dielës rivalin nga “Nisma për Kosovën”, Isa Xhemajlaj.

Në fjalët e para pas shpalljes së fitores, Lladrovci ka falënderuar votuesit për besimin që i kanë dhënë. “Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim, edhe atyre që më kanë votuar, edhe atyre që nuk më kanë votuar”, tha Lladrovci. “Kjo është ajo forca që bën fuqinë”, tha ai, nën brohorimat e simpatizantëve të shumtë që ishin mbledhur para selisë së PDK-së në Drenas.

Mandati i tij në krye të komunës do të zgjasë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Sa i përket rezultatit, Lladrovci ka shtuar votat në favor të tij krahasuar me raundin e parë zgjedhor, por shifrat nuk kapërcejnë ato të siguruara prej ish-kryetarit të komunës, Nexhat Demaku.

Kandidati i PDK-ë ka marrë 14.242 vota në raundin e dytë të zgjedhjeve, me 4.784 më shumë sesa në raundin e parë të zhvilluar më 4 dhjetor. Kjo, gjithsesi, ka ndodhur edhe pse Lladrovci nuk ka bërë ndonjë pakt me ish-kandidatët e eliminuar në raundin e parë. Por, ai nuk ka mundur të sigurojë po aq vota sa ish-kreu i komunës, Demaku, i cili në zgjedhjet e 2013-s kishte marrë 14.637 vota.

Rivali nga “Nisma për Kosovën”, Isa Xhemajlaj ka marrë 8.476 vota, apo mbi 2.800 më shumë krahasuar me 5.642 që kishte siguruar më 4 dhjetor.

Top Channel