Takim NATO-Rusi për të lehtësuar shqetësimet

19/12/2016 00:00

Aleanca ushtarake e Atlantikut të Veriut pritet të sigurojë Rusinë gjatë kësaj të hëne se, trupat e dislokuar prej saj në Poloni dhe shtetet e Baltikut vitin e ardhshëm do të jenë tërësisht me natyrë mbrojtëse, në atë që konsiderohet si takim i rrallë mes të dërguarve të aleancës me ata të Kremlinit, që zor se do të zgjidhin ankesat dhe mosmarrëveshjet afatgjata.

Këshilli NATO-Rusi, forumi që pritet të mbledhë bashkë ambasadorët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior me diplomatin rus për çështjet lidhur me aleancën e udhëhequr nga SHBA, do të mblidhet për herë të tretë gjatë këtij viti, ndërsa kriza e Ukrainës do të jetë ende prioriteti kryesor i shqetësimeve për Brukselin dhe Uashingtonin.

Rusia pretendon se ndihet e shqetësuar në lidhje me praninë ushtarake të NATO-s pranë kufijve të saj. “Ne mendojmë se do të kemi një diskutim të sinqertë në lidhje me situatën e sigurisë në Europë, përfshi këtu pasojat e përforcimeve të NATO-s në kufijtë lindorë të saj”, tha ambasadori rus në NATO, Alexander Grushko, gjatë së premtes.

E duke parë që marrëdhëniet janë në pikën e tyre më të ulët, fushata shkatërrimtare ruse e bombardimeve në Aleppo, e cila nuk pritej të diskutohet, jep një sfond të errët të këtij takimi, thonë diplomatët.

Gjithsesi, aleatët e NATO-s, veçanërisht Gjermania, kanë nxitur takimin me Grushkon për të shpjeguar pse ata janë duke dërguar 4 batalione shumëkombëshe me rreth 4.000 trupa secili në ish-shtetet sovjetike të Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë prej fillimit të vitit 2017.

Qeveritë e vendeve të NATO-s thonë se këto masa janë modeste krahasuar me 330 mijë trupat që aleanca beson se Rusia ka dislokuar në kufijtë e saj perëndimorë, pranë Moskës, që prej muajit maj.

Aleatët thonë se 4 batalionet, të mbështetura nga forca amerikane me rotacion, justifikohen me aneksimin në vitin 2014 të Krimesë nga ana e Moskës, gjë që alarmoi vendet e Baltikut që mendojnë se diçka e tillë mund të ndodhë edhe me ata.

“E gjithë ideja e këtyre përforcimeve ka të bëjë me parandalimin e konfliktit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Jens Stoltenberg më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi me presidenten e Estonisë. “Sigurisht që është një veprim për të dërguar mesazhin e qartë për vetëpërmbajtje”.

Aleatët e NATO-s, Franca dhe Gjermania synojnë gjithashtu implementimin e marrëveshjes së paqes për Ukrainën lindore, aty ku Perëndimi akuzon Kremlinin se po ofron parà dhe armatime për rebelët. Moska e mohon këtë gjë, duke thënë se dhuna në lindjen e industrializuar të Ukrainës, që ka lënë më shumë se 10 mijë të vdekur, është rezultat i një lufte civile.

Top Channel