Aleppo, Putin e Erdogan gjithnjë e më pranë. Berlini, i trembur

19/12/2016 00:00

Situata e rënduar e Aleppos duket se po afron Vladimir Putinin dhe Recep Tayyip Erdoganin, pas mosmarrëveshjes që çoi deri në përplasje mes dy vendeve, e që fillesat i pati pikërisht me rrëzimin e një avioni rus në Siri.

Përveçse ndërmjetësuan për armëpushimin dhe evakuimin e banorëve të bllokuar në lindjen e Aleppos, tani krerët e dy shteteve kërkojnë një samit alternativ në Astana.

Berlini, – thotë “Deutsche Welle”, – po i trembet një “pakti ruso-turk”. Rusia, Turqia dhe Irani janë duke e intensifikuar ndërhyrjen e tyre në Siri edhe në nivelin diplomatik.

Ministrat e Jashtëm të 3 vendeve, Sergej Lavrov, Mevlut Cavusoglu dhe Mohammad Javad Zarif duan të takohen më 20 dhjetor në Moskë, pasi janë konsultuar paraprakisht mbi zhvillimet në terren. Të premten, shefi i Kremlinit kërkoi një format të ri për bisedimet me Damaskun, në të cilin Turqia, e njohur për mbështetjen e deritanishme të opozitës siriane, do të ketë rol më të madh.

Si vendtakim, me gjasë do të jetë Astana, kryeqyteti i republikës aziatiko-qendrore të Kazakistanit.

“Ky plan nuk do të konkurrojë me Gjenevën, por do të jetë një platformë shtesë”, u justifikua presidenti Putin gjatë vizitës së tij në Japoni. Bisedimet e paqes në Zvicër, nën ndërmjetësimin e OKB-së, kanë ngecur prej muajsh tashmë, ndaj dhe në Perëndim është rritur shqetësimi mbi një strategji të përbashkët ruso-turke në Lindjen e Mesme.

Top Channel