Tiranë, dështon seanca ndaj deputetit Prenga

19/12/2016 00:00

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sjelljen forcërisht të 3 dëshmitarëve në gjyqin kundër deputetit Armando Prenga, një proces ky që është bllokuar prej muajsh për këtë shkak.

Pjesëtarët e familjes Cali po refuzojnë të jenë të pranishëm në seancë çka ka detyruar prokuroren që të përsërisë të njëjtën kërkesë para Gjykatës së Lartë për sjelljen me forcë nga policia të dëshmitarëve Gjok Cali, Dorian Cali dhe Gjon Cali.

Tre dëshmitarët që konsiderohen kyç për procesin penal ndaj Prengës po kundërshtojnë të paraqiten në seancë, ndonëse ata janë personat e përfshirë në konflikt të armatosur në vjeshtën e 2015 për Lagunën e Patokut.

Në proces mungonte deputeti Prenga, i cili gjatë gjykimit është përfaqësuar nga avokati Baftjar Rusi. edhe mbrojtja nuk ishte e pranishme në seancën e radhës, pasi sipas Rusit, ai kishte probleme shëndetësore dhe për këtë arsye kishte depozituar një raport mjekësor.

Gjykata e Lartë e caktoi gjyqin e radhës në datën 23 janar dhe kjo shtroi pikëpyetjen nëse kjo shtyrje do i sillte amnistinë edhe deputetit, një shqetësim ky i shtuar në fillim të muajit nga Partia Demokratike. Por gjatë ditës, ministri i Drejtësisë deklaroi për amnistinë e fundvitit:

“Shqetësimi i PD nuk gjen zbatim, nuk përfitojnë nga amnistia zyrtarët publikë që gjenden nën akuz”, tha ministri.

Por a do të përfshihet  deputeti Prenga në këtë amnistia? E kontaktuar nga Top Channel, Zyra e Shtypit deklaroi se Armando Prenga nuk përfiton nga amnistia e këtij fundviti. Prenga është nën akuzë për plagosje të lehtë dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel