Vlorë, prokuroria sekuestron 950 mijë m2 pyje

19/12/2016 00:00

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar rreth 950 mijë metra katrorë tokë, kullotë dhe pyje, në fshatin Peshkëpi, nën dyshimin se pronarët e kanë përfituar atë me dokumente të falsifikuara.

Për pronën, e regjistruar në emër të trashëgimtarëve të shtetasit Refat Shanaj, Prokuroria e Vlorës nisi hetimin në bazë të rekomandimeve të task forcës së ngritur pranë Këshillit të Ministrave.

Nga hetimet rezulton se vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Vlorë është marrë mbi bazën e dokumentit ligjor të falsifikuar, tip “Dëshmi Vërtetimi”, lëshuar në emër të Pleqësisë së Katundit Drashovicë.

Më pas, me anë të vendimit me përmbajte po të falsifikuar është kryer në vitin 2007 regjistrimi i pasurisë së paluajtshme dhe është lëshuar vërtetim pronësie për të, dokumente që gjithashtu përmbajnë të dhëna të rreme, pasi bazohen në dokumente të falsifikuara.

Ndërkohë, edhe Arkivi Qendror Shtetëror nuk e ka konfirmuar autenticitetin e dokumentit të “Dëshmi Vërtetimi”, lëshuar më datë 23 shtator 1941.

Top Channel