Durrës, protestë kundër kryebashkiakut Dako

19/12/2016 00:00

Partia Demokratike ka nisur protestat për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili javën e kaluar u përfshi në një valë kritikash për ndikim në favor të lirimit me kusht nga gjykata të një prej emrave të njohur të botës së krimit në Durrës, Lulzim Berisha.

Dhjetëra qytetarë, antarë, simpatizantë dhe këshilltarë bashkiakë të PD-së me në krye deputetë të kësaj force politike janë mbledhur para bashkisë së qytetit bregdetar për të kërkuar largimin e Dakos nga posti i kryebashkiakut.

Sipas opozitës, Dako ka dalë garant duke ndikuar në vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin me kusht të Berishës nga burgu, vendim për të cilin ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Tiranë.

Lidhur me akuzat, kryebashkiaku Dako deklaroi disa ditë më parë se shkresat e firmosura prej tij janë pjesë e një procedure standarde për administratën e bashkisë, lëshuar me kërkesë të familjarëve dhe avokatit mbrojtës të të dënuarit.

Top Channel