NBA, San Antonio Spurs tërheq fanelën e Tim Duncan

19/12/2016 00:00

Mbrëmja e radhës e NBA ishte e gjitha për San Antonio Spurs. Skuadra teksane triumfoi në sfidën ndaj New Orleans Pelicans në “AT&T Center” me rezultatin 113-100, në një përballje të ndjekur edhe nga legjenda e kësaj skuade, Tim Duncan.

San Antonio ishte padrone në fushën e lojës, duke mos e vënë në dyshim në asnjë moment këtë fitore, që ishte e 21 sezonale. Në përfundim të sfidës, ishte pikërisht Tim Duncan ai që u bë protagonist, pasi për të u bë nderi më i madh për një basketbollist të NBA. Nëpërmjet një ceremonie, San Antonio tërhoqi përfundimisht fanelën me nr.21 të mbajtur nga Duncan gjatë gjithë karrierës së tij me skuadrën e Spurs. Ishte një ceremoni emocionuese, ku ish-shokët e skuadrës e ish-trajneri i Duncan treguan se përse ky lojtar ishte kaq i rëndësishëm për Spurs në 19 vitet e karrierës së tij.

“Duncan i bën më të mirë të gjithë ata që e rrethojnë, ky është përkufizimi i vërtetë për një superstar”, deklaroi Tony Parker, ndërsa Manu Ginobili theksoi se Duncan i interesonte që skuadra të fitonte, por ata që kishin më shumë rëndësi për të ishin shokët e skuadrës.

Por, ai që bëri fjalimin më prekës ishte Gregg Popovich, i cili e përkufizoi Tim Duncan më shumë se një lojtar basketbolli. Për trajnerin e Spurs, ai ishte një shpirt binjak. Fjalën e fundit e pati vetë Duncan, edhe pse për të ishte e vështirë të gjente fjalët. Fjalimi i tij zgjati vetëm 4 minuta, por ai nuk harroi të shfaqë mirënjohjen e tij.

“Kam mësuar unë më shumë nga shokët e skuadrës sesa ata nga unë”, tha Duncan në fjalën e tij, përpara se të shihte fanelën me nr.21 dhe emrin e tij të rreshtohej përkrah legjendave të tjera të San Antonio Spurs.

Top Channel