Tërmet në Fier, alarmohen banorët në Zharrëz

19/12/2016 09:00

Një termet ka tronditur Fierin dhe Patosin në orët e para të mëngjesit. Lëkundja është regjistruar rreth orës 1:19 minuta dhe, sipas Qendrës Sizmologjike Euromesdhetare, magnituda e saj ishte 4,2. 

Epiqendra e tërmetit raportohet 9 kilometra në juglindje të Fierit dhe 4 km në veri të Patosit. Deri tani nuk ka të dhëna për dëme, ndërsa duket se këto lëkundje kanë alarmuar banorët e fshatit Zharrëz në Patos.

Menjëherë pas lëkundjes ata kanë dalë në rrugë dhe kanë protestuar. Disa prej tyre kanë dërguar foto edhe në numrin e “Ti raporton” në Top Channel.

Ditët e fundit, banorët janë ankuar për lëkundje të vazhdueshme në zonën e tyre, ndërsa akuzojnë një kompani naftënxjerrëse si shkaktare të tërmeteve.

Top Channel