Solidaritet me Mishelin; Në ndihmë të 4 vjeçarit të sëmurë

18/12/2016 00:00

Dhjetëra persona janë solidarizuar me Mishelin 4 vjeçar, historia e të cilit u transmetua nga Top Channel një ditë më parë preku zemrat e të gjithëve.

Mjekët shprehin gatishmërinë për ta kuruar, ndërsa kompania OSHEE ofroi punësim për prindërit dhe mbulim financiar të kurimit të fëmijës.

Shumë familje si ajo e Mishelit të vogël nuk munden të vetme të përballojnë vështirësitë që jeta u ka rezervuar. Por solidariteti i ndihmon ata dhe shpëton jetë.

“Në edicionin e djeshëm informativ në Top Channel mësova për rastin e një djaloshi të vogël nga Elbasani, i cili ka nevojë për një ndërhyrje në shpretkë.  E ndjeva detyrim moral, mesa mundem, të ndihmoj djaloshin e vogël. Shpresoj që thirrjes sime t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë. Shërim të shpejtë”, shprehet aktori Gazmend Paja.

Kjo nuk ishte e vetmja thirrje për solidaritet dhe ndihmë ndaj Mishelit 4-vjeçar. Historia dhe nevoja e tij për mbështetje ka prekur shumë njerëz që shprehin dëshiren për ta ndihmuar.

Mjekë të njohur të spitalit të Traumës shprehen gatishmërinë për ta ndjekur rastin dhe po shqyrtojnë dosjen shëndetësore.

Ndërsa individë të shumtë duan ta ndihmojnë djalin 4-vjeçar që një pjesë të jetës e kalon nëpër spitale. Edhe të shtunën fëmijës i është dashur që të marrë gjak.

Prindërit e Mishelit janë të dy të papunë dhe kompania OSHEE i ofroi ndihmë për punësimin e një prej tyre, por edhe ndihmë për kurimin mjekësor.

“Në këto prag festash, t’i japim një ndihmë kësaj familje, në këto vështirësi. Kryefamiljarin ta marrim në punë dhe me mundësitë që kemi e projektet që ka OSHEE ta ndihmojë financiarisht djalin e vogël”, tha Ardi Kola, përfaqësues i OSHEE.

Nëna e Mishelit falënderon të gjithë ata që po i bëhen krah në përpjekjen për të shpëtuar djalin 4-vjeçar.

“Falenderoj shumë OSHEE, që erdhi në shtëpi për djalin tim, falenderoj stafin tuaj, të gjithë. Kryeinxhinierin për punësimin e burrit. Falenderoj jashtë mase të gjithë ata që janë interesuar për djalin tim”, u shpreh mamaja e Mishelit, Luljeta Kola.

Misheli vuan nga Anemi Hemolitike Autoimune një sëmundje e rëndë, e cila i rrezikon atij jetën.

Top Channel