Gjermanët kanë hyrë plotësisht në shpirtin e festave. Një shtëpi bavareze e ndriçuar nga mijëra drita e tregon më së miri ngazëllimin, me të cilin pritet Krishtlindja në vend.

Banesa vezulluese e Rosa Kraemer, e zbukuruar me lloj-lloj figurinash, ka tërhequr edhe plot vizitorë, të cilët nuk munden përveçse ta admirojnë nismën e saj.

“Është fantastike të kesh një gjë të tillë, me gjithë këto drita. Andej nga vij unë nuk gjen kaq shumë zbukurime, ndaj do ta rekomandoj me kënaqësi”, tha Mario Jung.

“Mendoj se është vërtet e mrekullueshme, është një punë që duhet admiruar. Kur vjen këtu dhe sheh këtë pamje pushtohesh automatikisht nga ndjenja e Krishtlindjes”, tha një tjetër admirues.

Mbesa e Rosës, Sabrina Bauer ndihmon çdo vit në vendosjen e dritave, që kërkon nga 6 deri në 8 javë kohë. Për vet Rosa Kraemer, kërshëndellat pa drita nuk janë kërshëndella.

“Zbukurimet janë ato që krijojnë atmosferën e festave. Mua dritat më duken qetësuese. Dhe nuk përdor drita që fiken e ndizen papushim, sepse ato nuk qetësojnë”, tha Rosa Kraemer, pronare e shtëpisë.

Shtëpia do të ndriçohet çdo ditë deri më 6 janar, nga ora 16:00 deri në 22:00.

Top Channel