Punimet në infrastrukture që po kryente një subjekt privat në rrethinat e kryeqytetit kanë lëne pa energji elektrike gati 30 fshatra të Tiranës.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë njoftoi se rreth orës 09:00 te së dielës një firme private ka dëmtuar kabullin 35 kW të linjës Kinostudio-Lanabregas.
Kompania po punonte për llogari të ujësjellësit pranë Institutit të Fizikës Bërthamore, duke nxjerrë jashtë pune dy Nënstacionet, Lanabregasin dhe atë të Qafë-Mollës.
Si pasojë e dëmtimit mbetën pa energji për rreth 3 orë rreth 40 mijë banorë të fshatrave te Tiranës, dhe e gjithë zona e Dajtit përfshire Antenat e televizioneve.
Kryeinxhinieri i Tensionit të Lartë për Tiranën, Egert Mema tha se pas konstatimit të dëmit, OSHEE ka thirrur policinë, për hetimin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave.
Sipas tij firma private ka punuar jashtë rregullave të kushteve teknike, pa marrë azhornimet dhe kodet e rrjetit të energjisë nga OSHEE.
Top Channel