Inspektime në Laprakë, Veliaj: Mbyllim vitin me premtime të mbajtura

18/12/2016 00:00

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nga afër punimet që po bëhen në bllokun nr. 1 të pallateve në zonën e Laprakës, duke i cilësuar ato si prova konkrete se në kryeqytet të gjithë trajtohen njësoj, pavarësisht nëse njerëzit banojnë në qendër apo periferi.

“Të jesh kryeqytetas nuk mjafton vetëm ta kesh adresën në Tiranë, por edhe të trajtohesh si kryeqytetas”, tha Veliaj.

Ky investim – shtoi më tej kreu i Bashkisë Tiranë, – është një tjetër premtim i mbajtur, duke e cilësuar investimin e bërë në Laprakë si më të rëndësishmin pas atij në sheshin “Skënderbej”.

“Nuk ka gjë më të bukur sesa të mbyllësh vitin duke mbajtur fjalën që ke dhënë në fillim të vitit. Këtu flasim për mbi 40 ha hapësirë, 42-43 rrugë, një nga zonat më të banuara të Tiranës, e pasuruar rishtas me banorë. Dhurata më e mirë e Vitit të Ri për këta banorë është fakti që i themi lamtumirë baltës dhe mirëseerdhe civilizimit, gjelbërimit, asfaltit, këndit të lojrave, ndriçimit, kanalizimeve”, tha Veliaj.

Por kjo gjë, – shtoi ai, – nuk mund të bëhej pa bashkëpunimin e banorëve të zonës.

“Falënderoj banorët që kanë qenë bashkëpunues, por do të vazhdoj të kërkoj bashkëpunimin e tyre. Janë disa ndërtime pa leje, të cilat duhen prishur. Bashkia do të ofrojë banesa sociale dhe bonus qiraje”, deklaroi Veliaj.

Në fund, qytetari numër 1 i Tiranës u kujtoi banorëve edhe projektin e ndarjes së mbeturinave që në burim.

“Dua t’u kërkoj qytetarëve bashkëpunim edhe për projektin tonë të diferencimit të mbetjeve në burim. Është e rëndësishme që të gjithë banorët të jenë të përgjegjshëm, si fëmijët. Mbetjet e riciklueshme t’i hedhim në koshin e gjelbër (plastikë, karton, qelq), ndërsa produktet që nuk riciklohen në koshin blu”, tha Veliaj.

Top Channel