Masakër në Jemen, kamikazi vret 41 ushtarë në Aden

18/12/2016 00:00

Një sulm kamikaz i kushtoi jetën të paktën 41 ushtarëve në jug të Jemenit, në qytetin Aden. Shumë të tjerë mbetën të plagosur në sulmin ndaj bazës ushtarake “Al Solban”, ku ushtarët ishin në pritje që të merrnin pagat.

Autoritetet lokale thanë për mediet se kamikazi kishte mundur të hynte në bazë i veshur si ushtar. Kjo është hera e dytë në pak ditë, që në të njëjtën bazë përsëritet një sulm i ngjashëm.

Më 10 dhjetor, një tjetër kamikaz i Shtetit Islamik hodhi veten në erë, po në momentin kur ushtarët ishin rreshtuar për të marrë pagat. Përsëritja e sulmit, sipas analistëve tregon një mungesë të theksuar sigurie edhe në zonat ushtarake, në Jemenin e përfshirë nga lufta civile.

Qyteti i Adenit është kryeqyteti “de facto” i qeverisë jemenase të njohur nga OKB-ja dhe të mbështetur nga Arabia Saudite. Kryeqyteti i vërtetë Sanaa, që prej vitit të shkuar kontrollohet nga rebelët “Houthi”.

Lufta civile në Jemen po shfrytëzohet nga Arabia Saudite dhe Irani, dy fuqitë rivale në rajon, të cilat mbështesin palë të kundërta në konflikt. OKB-ja e ka cilësuar konfliktin në Jemen një katastrofë njerëzore, që i ka kushtuar jetën më shumë se 10 mijë njerëzve, ndërsa ka lënë miliona të tjerë në mjerim.

Top Channel