Sulmi i Nices, akuza ndaj 3 personave për bashkëpunim me Bouhlel

18/12/2016 00:00

Ndaj 3 personave të tjerë janë ngritur zyrtarisht akuza për bashkëpunim me islamikun radikal, që shtypi me kamion 86 persona në Nice të Francës.

Të paditurit e moshave 24, 31 dhe 36 vjeç akuzohen për përfshirje në një komplot terrorist. Ata janë në mesin e 11 individëve të prangosur të hënën në Nice dhe në qytetin perëndimor të Nantes, dhe të vetmit që do të qëndrojnë në paraburgim, sepse të tjerët janë lënë të lirë.

Këto ndalime vijnë 5 muaj pasi ekstremisti tunizian, Mohamed Lahouaiej Bouhlel përplasi kamionin 9 tonësh të marrë me qira mbi turmën e njerëzve të mbledhur për të parë spektaklin e fishekzjarreve me rastin e ditës së Bastijes.

6 janë të akuzuarit deri më tani për ngjarjen e rëndë, ndër të cilët edhe një çift shqiptarësh, Artan Henaj dhe Enkelejda Zaçe, të dyshuar se i kanë siguruar armën autorit të masakrës, ndonëse mund të mos e kenë ditur saktësisht se çfarë kishte ndërmend të bënte.

Gati 6 muaj pas sulmit të Nices, hetuesit ende po përpiqen të zbulojnë arsyet e vërteta të gjestit të Mohamed Bouhlel. Ai është praktikisht një kombinim i radikalizimit islamik, joshjes ndaj dhunës ekstreme dhe një sfondi problemesh psikologjike, thanë burime të afërta me hetimin.

Top Channel