Bashkëpunimi antitrafik, Shqipëria e Italia me “kontroll të plotë në det”

18/12/2016 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka zhvilluar një vizitë pune në Italinë jugore, vizitë e mbështetur nga misioni i Bashkimit Europian, “PAMECA IV”.

Sipas asaj që komunikohet nga ky institucion, vizita e Çakos në Itali bëhet në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane, dhe me synimin për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin me “Guardia di Finanza” në parandalimin e goditjen e trafikut të lëndëve narkotike përmes rrugëve detare.

Në Itali, Çako ka pasur një seri takimesh të rëndësishme me komandantin e Përgjithshëm të “Guardia di Finanza”-s për Rajonin e Puljas; me drejtorin e Shkollës së Policisë së Kazertës; me Prefekten dhe kuestorin e Barit, si dhe me drejtorin e zonës 9 të Policisë Kufitare të Portit dhe Aeroportit të Barit.

Komandanti i Përgjithshëm i “Guardia di Finanza”-s për Rajonin e Puljas, Vito Augelli shprehu konsideratën më të lartë dhe nderin e pritjes së këtij delegacioni të Policisë së Shtetit në Komandën e “Guardia di Finanza” të Rajonit të Puljas.

Në fjalën e tij të mikpritjes, ai u ndal në nivelin e bashkëpunimit të konsideruar si të shkëlqyer, sidomos gjatë këtij viti, e vërtetuar kjo nga operacionet e përbashkëta, ndalimet, arrestimet dhe sekuestrimet e bëra në drejtim të trafiqeve të paligjshme nëpërmjet detit.

Augelli falënderoi drejtorin e Policisë së Shtetit Çako dhe përmendi disa nga operacionet më të suksesshme, duke theksuar se ka një shkëmbim në kohë reale të informacioneve, duke bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e çdo mjeti lundrues që provon të trafikojë në hapësirën detare ndërmjet dy vendeve.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako falënderoi për pritjen dhe konsideroi kolegët e “Guardia di Finanza”-s së Rajonit të Puljas, si bashkëpunëtorët më të mirë të Policisë së Shtetit jo vetëm në det, por edhe në veprimtaritë e tjera në ajër e tokë.

“Përfitoj nga rasti – shtoi ai, – për të falenderuar misionet e pranishme në Tiranë (Zyrën Interforcë), Durrës dhe Vlorë (NUFROM) për punën e shkëlqyer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit. Hapësira detare ndërmjet nesh është me të vërtetë një mundësi për lëvizje të lirë të qytetarëve tanë, por është një oqean për ata që provojnë të trafikojnë e të merren me veprimtari të paligjshme”.

Augelli theksoi sërish se, një nivel të tillë bashkëpunimi nuk e ka konstatuar asnjëherë më parë. “Tashmë që Guardia di Finanza është titulluar si e vetmja forcë policore në det, ajo ka detyrën madhore të përmbushjes së objektivave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe pa një sistem të mirëngritur do të ishte e pamundur të luftonim fenomenet kriminale. Falë një sistemi të tillë, tashmë në nivel rajonal me Shqipërinë, duke përmendur këtu të gjithë aktorët e përfshirë, kemi një koordinim të nivelit më të lartë për t’u marrë shembull dhe mendojmë se kemi ngritur një barrierë të pakalueshme për trafikantët”, tha gjenerali italian.

Në lidhje me të ardhmen, të dyja palët ranë dakord se kërkohet një angazhim i përbashkët në drejtim të hetimit të aseteve kriminale dhe, në këtë drejtim, “Guardia di Finanza” ka një përvojë shumëvjeçare dhe kapacitete operative nga më të mirat. Këto kapacitete do të vihen në dispozicion të Policisë së Shtetit për të kryer veprimtari të përbashkëta edhe në këtë drejtim.

Drejtori i Policisë së Shtetit e ftoi për një vizitë në Shqipëri gjeneralin Augelli, ftesë të cilën e pranoi me shumë kënaqësi. Në këtë takim, drejtori i Policisë shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Bari, Adrian Haskaj; nga oficeri ndërlidhës i Policisë së Shtetit, kryekomisar Artur Beu; nga drejtori i Zyrës Interforcë në Shqipëri, Giovanni Conti; nga nënkolonel i “Guardia di Finanza” Luca De Paolis; komandanti i nuklit të “Guardia di Finanza” në Durrës dhe Vlorë, Ferdinand Rucco; si dhe koordinatori i Interforces në QNOD.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel