Beqaj inspekton qendrat shëndetësore të Tropojës: Furnizim para dimrit

18/12/2016 00:00

Qendrat Shëndetësore në zonat më të largëta malore të vendit, të cilat gjatë stinës së dimrit bllokohen prej reshjeve të dëborës, janë furnizuar prej dy javësh me barna dhe pajisjet e nevojshme mjekësore për të përballuar 3 muajt e ardhshëm.

Sipas asaj që bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, këto qendra janë furnizuar me një paketë prej rreth 80 barnash të ndryshme, për t’iu ofruar shërbimin e duhur banorëve të këtyre zonave.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka inspektuar shpërndarjen e barnave dhe materialeve mjekësore në tri Qendra Shëndetësore të Bashkisë së Tropojës, në Fierzë, Bujan dhe Margegaj, ndërkohë që procesi i furnizmit ka përfunduar dhe mbulon rreth 20 mijë banorë të kësaj bashkie.

“Është normale që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa, që në prag të dimrit të bëjë furnizimin e Qendrave Shëndetësore në zonat më të largëta të vendit, e që gjatë dimrit edhe bllokohen. Janë rreth 90 qendra që prej dy javësh janë furnizuar me një sasi të nevojshme barnash, të mjaftueshme për rreth 3 muaj sipas vlerësimeve të konsumit vjetor që ne bëjmë. Lista përbëhet prej rreth 70-80 barna të domosdoshme, në mënyrë që të jemi sa më pranë banorëve jo vetëm në Fierzë, jo vetëm në Qendrat Shëndetësore të 6 njësive të Bashkisë së Tropojës, por në rreth 90 Qendra Shëndetësore në të gjithë vendin”, u shpreh Beqaj.

Sipas ministrit, falë këtij furnizimi, mjekët dhe infermierët e këtyre Qendrave Shëndetësore do të kenë mundësi që t’iu ofrojnë banorëve të këtyre zonave shërbimin e domosdoshëm.

“Që kur kam marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ne furnizojmë të tilla qendra që në fillim të dimrit me barna dhe materiale mjekësore të domosdoshme, në mënyrë që gjatë muajve të dimrit të kemi vijueshmëri në shërbim edhe në zonat më të largëta apo më të thella, që edhe bllokohen si pasojë e motit, duke e bërë më të vështirë t’i furnizosh më tej. Mjekët e infermierët, që duhen falënderuar që vazhdojnë të shërbejnë në kushte dimri dhe në ditët festive me përkushtim ndaj banorëve, do të kenë mundësi që bashkë me barnat të ofrojnë shërbimin e domosdoshëm këtu, e pastaj të vazhdojmë të garantojmë shërbimin e urgjencës në territor, me flotën më efiçente të autoambulancave dhe me urgjencat e spitaleve në pritje”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.

Gjithashtu është siguruar edhe furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore i Qendrës Shëndetësore të Bujanit, për të qenë e gatshme që gjatë sezonit të dimrit t’iu ofrojë shërbim 3.500 banorëve të kësaj zone.

Top Channel