Britani, nëpunësit civilë duhet të bëjnë betim për vlerat e vendit

18/12/2016 00:00

Nëpunësit civilë dhe personat e tjerë që kanë një post publik duhet të betohen për vlerat britanike. Kështu deklaroi ministri britanik i Komuniteteve, Sajid Javid, i cili në një shkrim për “Sunday Times” shprehet se njerëzit nuk mund të luajnë një rol pozitiv në jetën publike, nëse nuk pranojnë vlerat bazë.

Sipas tij, këto përfshijnë demokracinë, barazinë dhe lirën e shprehjes. Ndërhyrja e Javid vjen pas një raporti zyrtar, që paralajmëron për izolim etnik në rritje. Propozimi i ministrit Javid parashikon që çdo rekrut i ri në sektorin publik, përfshirë këshilltarët, drejtorët e shkollave dhe shërbyesit civilë do të marrin angazhim duke u betuar për vlerat britanike, diçka që duhe bërë me zë të lartë, para se të nisin detyrën.

Në raportin që fliste për izolim etnik shkruhej se, disa pjesë të shoqërisë nuk pranojnë vlerat britanike si toleranca. Ministri Javid tha se ky raport e shtyu të hartonte propozimin e tij, që të konsiderohet si betim besnikërie.

Sipas tij, për të luftuar izolimin etnik, punonjësit civilë dhe udhëheqësit poltikë duhet të udhëheqin me shembull. Ai tha se propozimi i tij nuk kërkon formimin e një aparati shtetëror, ku të gjithë pijnë çaj dhe janë britanikë klasikë, por të gjithë duhet të pranojnë themelet e shoqërisë britanike.

Sipas tij, një pjesë e emigrantëve që jetojnë në Nritani nuk kanë marrë as mundimin që të mësojnë gjuhën. Betimi i propozuar prej tij përfshin tolerimin e pikëpamjeve të të tjerëve edhe kur nuk je dakord, besimin te liria e fjalës dhe e fesë, besimin te barazia dhe demokracia, e sigurisht respekti për ligjin britanik.

Top Channel