Nishani në Berlin: Kultura, vlerë në çlirimin nga paragjykimet raciale e fetare

18/12/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë si i ftuar nderi dhe folës kryesor në Konferencën Vjetore të Institutit për Diplomaci Kulturore në Berlin, me temë: “Promovimi i të Drejtave Globale të Njeriut përmes Diplomacisë Kulturore”, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm politikanësh dhe akademikësh evropianë, por jo vetëm.

Presidenti Nishani, pasi vlerësoi organizatorët për reputacionin ndërkombëtar që i kanë dhënë Institutit për Diplomaci Kulturore, theksoi për auditorin se sfidat dhe kërcënimet e sotme kanë ndër të tjera nevojë edhe për sa më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim dhe për diplomacinë kulturore. Presidenti Nishani e konsideroi diplomacinë kulturore një vlerë të shtuar veçanërisht në çlirimin e shoqërive të sotme nga paragjykimet raciale e fetare, si dhe nga keqkuptimet kulturore dhe etnike, por edhe si një instrument që mund të kontribuojë për promovimin e vlerave më të mira njerëzore dhe për realizimin shumë më mirë se deri tani të të drejtave themelore të njeriut.

Gjithashtu, duke folur për progresin e bërë në 25 vitet e fundit të demokracisë, Presidenti Nishani solli për auditorin edhe dhunimin mizor që kishte përjetuar shoqëria shqiptare për rreth 45 vjet nën diktaturën komuniste, ku përtej mohimit të të drejtave më themelore, regjimi ndaloi me ligj absurd fenë dhe të drejtën për të besuar, duke e shpallur Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë.

Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, Presidenti Nishani ia kushtoi traditës dhe eksperiencës shumëshekullore shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë mes komuniteteve fetare, duke theksuar se prezenca e besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri është pjesë e identitetit shqiptar dhe nuk ka cenuar asnjëherë orientimin evropian dhe euroatlantik të vendit.

Presidenti Nishani e njohu auditorin me angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar, si në nivel rajonal, por edhe më gjerë, nëpërmjet vlerave të harmonisë dhe tolerancës që e karakterizojnë, por edhe për përkushtimin për fqinjësi të mirë e bashkëpunim. Në këtë kuadër, Presidenti Nishani evidentoi edhe njëherë rëndësinë që ka vijimi me përkushtim i reformave në kuadrin e procesit të integrimit evropian, si për Shqipërinë ashtu edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht sfidave të vështira me të cilat po përballet Unioni.

Në fund të fjalës, Presidenti Nishani iu përgjigj interesit të auditorit mbi aspekte të ndryshme, ku një vend i veçantë iu kushtua zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por dhe zhvillimeve tragjike aktuale në Siri e vende të tjera në konflikt, ku jeta dhe e drejta për të jetuar në paqe dhe siguri janë dhunuar dhe vijojnë të dhunohen në sy të të gjithë botës.

Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë aktivitet, Presidenti Nishani zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin Ekzekutiv dhe themeluesin e Institutit për Diplomaci Kulturore, zotin Mark C. Donfried, si dhe një takim të veçantë me anëtarët e Bordit Këshillimor të këtij instituti, të cilët i vlerësoi për kontributin që jepnin në këto momente shumë të veçanta, si në nivel evropian, ashtu edhe në nivel global, me eksperiencën e tyre politike dhe drejtimit të shteteve të ndryshme.

Top Channel