Pajisja nënujore, SHBA: Kina pranoi të na e kthejë

18/12/2016 00:00

Pentagoni deklaroi se ka arritur një marrëveshje mirëkuptimi me Kinën, për kthimin e “dronit” nënujor që u kap në detin e Kinës së Jugut.

Kina e kapi këtë mjet nënujor në ujëra ndërkombëtare dhe, megjithëse nuk ka shpjeguar arsyet përse, tha se Shtetet e Bashkuara e kanë fryrë tej mase këtë incident.

Presidenti i zgjedhur Donald trump akuzoi Kinën se e vodhi “dronin”, madje tha që mund ta mbajnë, sepse Amerika nuk e do më.

Ky incident, pavarësisht se në dukje është zgjidhur, përbën një prej përballjeve më serioze ushtarake mes dy superfuqive në dekada. Sipas Pentagonit, “droni” po përdorej për të kryer studime shkencore nënujore, kur u kap nga forcat kineze. Autoritetet amerikane paralajmëruan gjithashtu Kinën që të mos përsërisë veprime të tilla në të ardhmen.

Në këtë kuadër, Ministria kineze e Mbrojtjes tha se mjeti nënujor do t’i kthehet Amerikës, megjithëse nuk specifikoi se kur. Në të njëjtën deklaratë, autoritetet kineze kritikuan reagimet amerikane, duke i cilësuar si të papërshtatshme dhe që nuk ndihmojnë në këtë situatë.

Ekspertët mendojnë se, ndërsa tensioni për pronësinë e ujërave të detit të Kinës Jugore rritet, kapja e “dronit” është një provokim nga Kina dhe një tregues së këto zona kontrollohen nga ajo. Një pjesë e analistëve thonë se, SHBA-të nuk reaguan me forcën e duhur ndaj incidentit, duke kritikuar politikën e jashtme të administratës “Obama”, që shpeshherë është akuzuar për dobësi në përballje me rivalët.

Top Channel