Farage kërkon të jetë “ura” mes Britanisë dhe Trumpit

18/12/2016 00:00

Ish-kreu i “UKIP”-it antiemigracion në Britaninë e Madhe, Nigel Farage ka thënë se dëshiron të jetë si një “urë lidhëse” mes Mbretërisë së Bashkuar dhe administratës në ardhje të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Duke folur për një program radiofonik të BBC-së, Farage pretendoi se ministrave të kabinetit iu është ndaluar të flasin me të. Deri më tani, ai ka zhvilluar 3 takime me presidentin e zgjedhur të Amerikës, i cili nga ana e vet ka thënë se Farage do të shërbente shumë mirë nëse do të ishte ambasador i Britanisë në Uashington.

Gjithsesi, kjo “dëshirë” e Trumpit e ka marrë refuzimin kategorik nga “10 Downing Street”, që bëri të ditur se “nuk ka asnjë vend bosh” për postin në fjalë.

Farage ka deklaruar për programin në fjalë se, nuk pret të marrë një rol në administratën britanike, pikërisht për shkak të pasaportës britanike që zotëron. Por shtoi se, refuzimi i qeverisë britanike për ta përdorur atë si një ndërmjetësues me Trumpin tregon sesa “të ulëta, meskine dhe fisnore” ishin politikat britanike.

Sipas Farage, “revolucioni politik” i Britanisë është ende i pakompletuar dhe se mund të ndodhë së shpejti një rast i ngashëm me atë të marrjes së Partisë Republikane nga ana e Trumpit. Ish-kreu i “UKIP”-it është edhe politikani i parë britanik që është takuar me presidentin e zgjedhur amerikan, që prej fitores në zgjedhjet e nëntorit.

I pyetur mbi rritjen e krimeve me natyre urrejtjeje që prej referendumit, Farage tha se kishte kaluar 4 vite mes “kërcënimeve të pafundme me vdekje” dhe se nuk ishte faji i vetëm njërës palë të referendumit për këtë sjellje negative. Vetëm gjatë dy javëve të fundit ai thotë se ka marrë 10 kërcënime me vdekje.

Paul Nuttal u zgjodh udhëheqës i “UK Independence Party” në nëntor, duke zëvendësuar Farage, por ky i fundit qëndroi edhe si drejtues i përkohshëm i partisë pas dorëheqjes së Diane James vetëm pas 18 ditësh në krye të “UKIP”-it.

Top Channel