Afganistan, vriten 5 oficere femra të forcave të sigurisë

17/12/2016 00:00

Pesë oficere femra të forcave afgane të sigurisë janë vrarë teksa udhëtonin për në punë, në aeroportin e qytetit të Kandaharit.

Oficeret, që kishin si detyrë kontrollin e udhëtareve femra, si dhe shoferi i furgonit që po i transportonte gjetën vdekjen pasi dy persona të armatosur në bordin e dy motoçikletave hapën zjarr ndaj tyre.

Deri tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi. Gratë në Afganistan bëhen shpesh shënjestër e talebanëve, por një zëdhënës i grupit të militantëve mohoi çdo përfshirje në këtë sulm.

Ahmadullah Faizi, drejtor i aeroportit, deklaroi se oficeret kishin qenë të shqetësuara për sigurinë e tyre pasi kishin marrë kërcënime me vdekje nga persona që nuk aprovonin karrierën që kishin zgjedhur.

Zyrtari tha gjithashtu se, një hetim është në zhvillim e sipër, por ende nuk është kryer asnjë arrestim.

Sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm afgan, në 8-mujorin e parë të vitit 2016 janë regjistruar 3.700 raste të dhunës kundër grave, ndërsa një vit më parë 5 mijë.

Top Channel