Siri, shpresë për civilët, evakuimi mund të rifillojë

17/12/2016 00:00

Civilët e bllokuar dhe rebelët në qytetin e Alepos, në Siri, po presin të largohen pas raportimeve se është arritur një marrëveshje e re që mundëson rifillimin e evakuimit.

Burime nga qeveria siriane dhe rebelët deklarojnë se, marrëveshja do t’u lejojë njerëzve të largohen nga disa enklava të rrethuara. Por disa orë pas njoftimit, agjencitë e ndihmave humanitare janë ende në pritje që të rifillojnë operacionet.

Të paktën 6 mijë persona u larguan nga lindja e Alepos gjatë armëpushimit të brishtë ditën e enjte, por një ditë më pas evakuimet u ndërprenë.

Njësoj si për Alepon, marrëveshja pritet të përfshijë evakuimin edhe nga dy qytete të tjera të kontrolluara nga rebelët dhe 2 të tjera që janë bastione të qeverisë.

Në zonën e Alepos ka patur në javët e fundit një intensifikim të epërsisë së trupave qeveritare. Mëngjesin e së premtes atje u verifikuan trazira kur evakuimi përgjatë korridorëve jashtë qytetit drejt zonave të kontrolluara nga rebelët, Khan al Asal dhe Khan Touman, u ndalua.

Qeveria deklaroi se luftëtarët rebelë kishin hapur zjarr ndaj autokolonave në pikën e kontrollit në lokalitetin Ramuseh, ndërkohë që rebelët akuzuan qeverinë se qëlloi e para.

Top Channel