Kanada, 9 të vdekur në 24 orë nga mbidozat e drogës në Vankuver

17/12/2016 00:00

Nëntë persona kanë vdekur në 24 orët e fundit në Vankuver si pasojë e një mbidoze qetësuesish. Lajmin e kanë konfirmuar autoritetet lokale.

Kryetari i bashkisë, Gregor Robertson deklaroi se qytetin kanadez po përjeton “kohë të trishtueshme”, duke shtuar se të tjera vdekje pritet të vijnë.

“Vështirë të shohim ditë më të mira kur ende nuk kemi shkundur themelin e këtij problemi”, tha Robertson.

Abuzimi me drogën në Kanada i mori jetën 2 mijë personave në vitin 2015. Qeveria ka investuar dhjetëra milionë dollarë për emergjencat në sektorin e shëndetit publik në vitet e fundit, por kryebashkiaku Robertson thotë se duhet bërë edhe më shumë.

Edhe shefi i policisë, Adam Palmer bëri thirrje për më shumë ndihmë për vartësit nga droga. “A i imagjinoni dot 9 persona të vdesin për një shkak tjetër në qytetin tonë?”, tha Palmer.

Qyteti i Vankuverit ka patur një mesatare prej 15 mbidozash droge në muaj, që kanë rezultuar me një numër të madh vdekjesh që janë ende nën hetim nga autoritetet.

Shumica e vdekjeve ndodhën në zonën Eastside të qytetit, ku lëndët narkotike mund të blihen lehtësisht, tha oficeri Adam Palmer.

Personat e vdekur kishin konsumuar fentanil, një narkotik analgjezik që vepron shpejtë dhe ka një efekt të ngjashëm me heroinën; si dhe opioid, një tjetër lëndë narkotike që ka efekte të ngjashme me ato të opiumit dhe morfinës.

Dy miligramë fentanil i pastër, që kanë masën e 4 kokrave të kripës, mjaftojnë për të vrarë një të rritur.

Top Channel