“Ti je heroi im”, në ndihmë të fëmijëve të policëve

17/12/2016 00:00

Nisma “Ti je heroi im” është zhvendosur në një nga rrugët e ish-bllokut në Tiranë. Fondet e mbledhura nga shitja e stemave dhe emblemave të policisë dhe biletat e aktiviteteve muzikore në mbrëmje do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve të sëmurë të policëve shqiptarë.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ftoi të gjithë në ndihmë të këtyre fëmijëve.

“Janë mbi 200 fëmijë të veçantë, me nevoja të veçanta, të cilët përveç vuajtjes së përditshme të prindërve në punë dhe sakrificës së përditshme në përballjen me botën e krimit kanë edhe vuajtjen familjare që nuk është e lehtë. Ndaj, bashkë me punonjësit e policisë dhe shumë partnerë po mundohemi të krijojmë një mundësi për t’ua bërë më të lehtë Vitin e Ri dhe patjetër shërimin”, u shpreh Tahiri.

Një tjetër formë kontributi për këta fëmijë është edhe mesazhi “Ti je heroi im” në numrin 50 100. “Ti je heroi im” është një nismë e Ministrisë së Brendshme me partner kryesor kompaninë DigitAlb.

Top Channel