“Laboratorët”, PD: Koncesion korruptiv

17/12/2016 00:00

Partia Demokratike kundërshtoi përmes Albana Vokshit koncesionin e laboratorëve mjekësorë. Deputetja demokrate tha në një dalje për mediat se ky koncesion është korruptiv dhe jo transparent.

Jam sot për të rikonfirmuar qëndrimin e vendosur të Partisë Demokratike kundër koncesionit të laboratorëve. Koncesioni i rrjetit të laboratorëve nuk ka asnjë rast të ngjashëm në botë. Askund nuk është aplikuar në këtë shtrirje. Vlen të theksohet që të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk dëshmojnë sukses, por kryesisht dështime apo rikthime në sektorin shtetëror.

Sipas opozitës, Koncesioni po bëhet në mungesë transparence dhe është korruptiv.

“Nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do shkojnë në xhepat e klientit të radhës”, deklaroi deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, ky koncesion do të monopolizojë sistemin laboratorik mjekësor, do të prodhojë çmime të pakontrolluara e të larta, do të cënojë cilësinë dhe transparencën e shërbimit dhe do të krijojë problem të sigurisë për shëndetin e pacientëve.

Top Channel