Koncesioni i laboratorëve përplas PD me LSI-në, replika të ashpra në distancë

17/12/2016 00:00

Partia Demokratike e quajti po aq fajtore Lëvizjen Socialiste për Integrim për koncesionin e laboratorëve. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, opozita thotë se LSI nuk e fsheh dot kokën me një amendament.

“LSI është pjesë e koncesioneve, abuzimeve dhe vjedhjeve 4-vjeçare të Qeverisë. Gjasmë amendamenti buxhetor i LSI-së, për koncesionin e laboratorëve në shëndetësi, nuk e ndalonte koncesionin e laboratorëve dhe nuk kishte asnjë vlerë ligjore”, thuhet në deklaratën e demokratëve.

Partia Demokratike thotë se amendamenti i paraqitur nga Petrit Vasili në Kuvend ishte i pavlerë.

“Vendimin për koncesionin e laboratorëve e merr Qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër koncesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në Qeveri. Le të bllokojë qeverinë, ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”, thuhet në deklaratën e PD.

PD thotë se LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konvesioneve dhe abuzimeve të Qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt.

“LSI dhe PS janë dy faqe të një monedhe nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ndajnë bashkë atë që grabisin nga populli”, thuhet në deklaratë.

Kjo deklaratë e Partisë Demokratike ka shkaktuar reagimin e LSI-së. Ka qenë pikërisht Petrit Vasili, ai që parashtroi amendamentin në Kuvend ai që ka reaguar.

“Basha të zgjedhi realitetin ose qiellin e shtatë. Basha të ndajë se ku është, këtu apo në Holandë. Problemi i PD nuk është LSI-ja, por oligarkia”, thuhet në reagimin e Petrit Vasilit.

Top Channel