Mbetjet në fushën e sportit

17/12/2016 00:00

Pirgje të mëdha me plehra kanë mbuluar sipërfaqje të tëra në zonën e njësisë administrative Grabian në Bashkinë e Divjakës.

Prej më shumë se katër vite, në këtë zonë hidhen sistematikisht plehra. Çdo ditë, kamionë të Ndërmarrjes së Pastrimit të Bashkisë së Divjakës pas mbledhjes së mbeturinave në të gjitha njësitë që mbulon kjo bashki, vijnë e i hedhin mbeturinat në këtë vend.

Sipas banorëve, dikur ky vend ka qënë një fushë sportive e rregullt e rrethuar me kangjella, por tashmë ajo shërben si vend stacionimi i mbetjeve. Sikur të mos mjaftonte kjo, çezma ku këta banorë mbushin ujë është e rrethuar nga këto mbeturina, gjë që rrezikon seriozisht e shëndetin e banorëve.

Era e rëndë dhe djegia e mbeturinave mbizotëron në të tërë lagjen e cila shtëpinë më të largët nga këto kodra mbeturinash e ka 50 metra. Banorët thonë se kanë vite që ankohen, por nuk ka asnjë zgjidhje.

Kjo çështje është bërë dhe shkak debatesh në Këshillin Bashkiak të Divjakës. Këshilltarët e djathtë i kërkojnë kreut të bashkisë ta zgjithë këtë problem, i cili po dëmton çdo ditë tokat dhe shëndetin e banorëve të Grabianit.

Kreu i Bashkisë së Divjakës thotë se këto mbeturina po hidhen në një vend të miratuar me vendim të Këshillit të Komunës Grabian para disa vitesh.

Top Channel