Në Durrës i njohin pothuajse të gjithë. Ai është Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi, regjisor, shkrimtar dhe përkthyes i njohur. Ajo është mësuese Shpresa. Ata kane një jetë në krah te njëri-tjetrit, plot 6 dekada.

Rrethuar nga librat, pikturat dhe kujtimet familjare ata janë të bindur se violinë e parë në jetën e tyre ka qenë respekti i ndërsjelltë dhe kapërcimi i situatave me humor.

“Ka qenë një dashuri që ka ardhur duke u shtuar dhe është konsoliduar  me vitet. Ime shoqe ka kontribuar shumë dhe tek unë dhe te djemtë. Ajo ka qenë nënë e tre djemveqë janë marrë me art, përfshirë dhe mua”, thotë Gjergji 88-vjeçar.

Edhe njohja e tyre lidhet me artin. Atëherë Gjergji ishte regjisor në shtëpinë e kulturës,  ndërsa Shpresa punonte në muzeun arkeologjik.

“Shkruajta një komedi “Dhoma nr.13”.Duket sikur 13-a është numër ters po mua më doli për mbarë. Më duhej personazhi i një infermiereje dhe ftova Shpresën të luajë në komedi. Ishte hera e parë dhe e fundit për të. Nuk pati talent për aktore, po kishte talent bashkëshortor”, rrëfen Gjergji.

Teksa kthehen në kohë, të dy rrëfejnë se nuk ka qenë e lehtë. Sfidat e problemet nuk kanë munguar, por thone se ia kanë dale mbanë.

“Kur u njohëm dhe vendosëm të bashkohemi, problemet fetare ishin më akute. Ndryshimi i feve mes meje dhe Shpresës nuk ishte i lehtë, por u arrit të kapërcehet me sukses”, thotë Gjergji.

“Ishte viti 1957. Mua nuk më doli e drejta e studimit dhe nisa punën në Muzeun Arkeologjik. Aty e njoha Xhoxhin. Ai vinte vazhdimisht se takonte Vangjel Toçin, drejtorin e muzeut”, thotë Shpresa.

Ndërhyn me batutë Gjergji: “Dashnia nuk pyet për fenë.Përveç besimit fetar ne kishim dhe 11 vite diferencë. Po më pas gjithçka u sheshua…” 

Ata zbulojnë edhe çelësin e tyre për kete martesë të gjatë e të lumtur.
“Harmonia është një nga kushtet kryesore të bashkëjetesës dhe kjo nuk na ka munguar asnjëherë”, vijon Gjergji.

Gjergj Vlashi njihet si babai i varietesë shqiptare, mjeshtër i fjalës dhe batutave plot humor. Ndaj për Shpresën edhe kjo mënyrë e tij e të komunikuarit ka ndikuar për të kaluar me humor situatat e ngarkuara në familje.

Por të japë një mesazh për të tjerët për një martesë të lumtur nuk është e lehtë as për mjeshtrin e fjalës, por ai e ka një.

“Harmonia është baza e gjithçkaje. Çiftet e reja nuk duhet të nguten për t’u martuar, pasi jeta nuk është fushë me lule. Ka të papritura dhe vështirësi, që duhen kapërcyer vetëm duke qenë sëbashku”, thotë Gjergji.
“Duhet të falësh dhe me mirëkuptim gjithçka zgjidhet. Është gjynah t’i lësh fëmijët”, vijon Shpresa.

Teksa lëvizin mes dy kontinenteve, Evropës dhe Amerikës për të vizituar familjet e dy djemve të tyre, Zefit në SHBA dhe Florit në Spanjë, Shpresa dhe Gjergji kthehen gjithnjë në Durrës, qytetin ku ndërtuan dhe forcojnë dashurinë e tyre.

Top Channel