Trafiku në Tiranë, policia në gatishmëri

17/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës bëri në mëngjesin e së shtunës edhe devijimin e fundit të segmentit rrugor në Sheshin Skënderbej. Ky devijim do ta ngarkojë më tepër trafikun në kryeqytet, por Policia e Qarkullimit Rrugor është në monitorim të situatës për të lehtësuar trafikun.

“Problematike mbeten kantieret e ndërtimit, të cilat në rrugët kryesore në numërojnë rreth 12 të tilla, që ndikojnë jo pak në rëndimin e trafikut dhe do veçoja, Rrugën e Kavajës në hyrje dhe në dalje, urën e Irgan Tomninit tek Bulevardi Gjergj Fishta dhe Bajram Curri, e cila shpresojmë që para vitit të ri të hapet dhe të kthehet funksionale, që do të lehtësonte trafikun sa i përket Komunës së Parisit dhe zonën e Vasil Shantos, e cila është shumë e rënduar”, thotë Taulant Gjoka, shef i Trafikut në Tiranë. 

Transportit urban i janë zhvendosur disa stacione në rrugën përpara Parlamentit.

“Te Rruga Çamëria nuk lejohet qarkullimi për momentin i autobusëve, vetëm i automjeteve dhe motomjeteve dhe ka ndryshim në hartën e stacioneve fundore, ku disa janë zhvendosur në Rrugën Xhorxh Bush dhe tek rruga para Parlamentit”, thotë Gjoka.

Por Tirana po ndjen një fluks të madh automjetesh në ditët e fundit të 2016-s.

“Në 24 orë vetëm tek sheshi Shqiponja kalojnë deri 58 mijë automjete në ditë. Mendo fluksin që do të shtohet me ardhjen e emigrantëve që do të kalojnë festat në Shqipëri dhe kam përshtypjen që mund të arrijmë shifrat e 70 mijë automjete vetëm tek sheshi Shqiponja pa llogaritur nyjet e tjera hyrëse”, deklaron shefi i Trafikut në Tiranë.

Policia e Qarkullimit Rrugor ka pezulluar të gjitha lejet për policët dhe ka shtuar oraret e tyre në detyrë për të normalizuar situatën e trafikut.

Top Channel