Spitali, “shtëpia e dytë”, 4-vjeçari bën thirrje për ndihmë

17/12/2016 00:00

Mishel Duka është 4 vjeç dhe pjesën më të madhe të jetës së tij e kalon nëpër spitale për të marrë sasinë e nevojshme të gjakut për të jetuar. Vogëlushi është diagnostikuar me Anemi Hemolitike Autoimune, një sëmundje e rëndë, por fatmirësisht e kurueshme. Një operacion për heqjen e shpretkës do t’i shpëtonte jetën Mishelit, por familja e tij e ka të pamundur të përballojë kostot.

“Vitet  para të jetës ishte shumë mirë, nuk kishte këtë lloj sëmundjeje. Pastaj pas një viti i filloi temperatura, u zbeh nga fytyra. E çova te doktori në Elbasan, më thanë virozë. Pastaj një doktor më ka çuar me urgjencë në Tiranë pasi ka qënë shumë keq djali. E çova në Tiranë pastaj, atje më nxorrën me këtë diagnozën, anemi hemolitike autoimune. Më kanë thënë për ti hequr shpretkën djalit”, tha Luljeta Duka, mamaja e Mishelit.
 
“E kemi çuar shumë herë në Tiranë, i kemi bërë analiza, ca te privati, te shtetit, njëlloj. Nuk e përballojmë dot ne”, thotë Nazif Duka, i ati.
 
Gjendja e fëmijës sa vjen e përkeqësohet, hemoglobina është në nivelin 4.9, nivel i cili rrezikon jetën e Mishelit në çdo moment.

“Unë nuk kam, jam në gjendje shumë të vështirë. Jam vetë papunë, burrin pa punë, kam dhe dy fëmijë të tjerë në shkollë, pa punë”, rrëfen Luljeta.

Edhe pse i vogël, i lodhur nga endjet pafund nëpër spitale, 4-vjeçari u lutet prindërve të mos e çojnë më në spital pasi ndjehet i shëruar.

Top Channel