Kushtetuesja mblidhet të hënën; caktohet data e vendimit

17/12/2016 00:00

Ditën e hënë në orën 10:00, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të diskutuar dhe për të vendosur se cila do të jetë data në të cilën do të shpallet vendimi për ligjin e Vettingut.

Anëtarë të trupës gjyqësore thanë për Top Channel se pas mbërritjes së opinionit të Venecias, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë njoftuar të jenë të pranishëm në këtë mbledhje për t’u shprehur se kur do të jenë gati për të dhënë një vendim përfundimtar për Vettingun.

Burimet shtojnë se opinioni i Venecias  i është përcjellë  personit të kontaktit në rrugë elekronike pasditen e së premtes.

Ky material më pas është protokolluar dhe është përkthyer në rrugë zyrtare, ndërkohë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese thuhet se janë njohur më herët me qëndrimin e Venecias në një version paraprak të përkthyer.

Përgjigjja e Venecias u dërgua në rrugë elektronike menjëherë sapo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja pohoi  se materiali ishte kërkuar zyrtarisht dhe se pas disa komunikimeve ishte marrë një përgjigje se kishte një probleme teknik.

Aktualisht ligji i Vettingut është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri sa të ketë një vendim përfundimtar, ndërkohë që në opinionin e Komisionit të Venecias, dispozitat e këtij ligji nuk shfaqin probleme dhe nuk bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Top Channel