Jaupi- Bersin: Shqipëria, e para që përfiton nga shkëmbimi i të dhënave biometrike

17/12/2016 00:00

Oficeri i lartë diplomatik amerikan, Alan Bersin bëri të ditur gjatë takimit me zv.drejtorin e Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi se Shqipëria do të jetë vendi i parë që përfiton nga shkëmbimi dhe verifikimi i të dhënave biometrike, duke pasur mundësinë të shfrytëzojë të dhënat e sistemit amerikan në një kohë të shkurtër, në nivel operacional.

Z. Bersin, ka përmendur impaktin pozitiv për punën e Policisë Shqiptare, të marë nga bashkëpunëtorët e tij. “Qëllimi ynë është që Shqipëria të jetë vendi i parë që përfiton nga shkëmbimi dhe verifikimi i të dhënave biometrike duke patur kështu mundësinë të shfrytëzojë të dhënat e sistemit tonë në një kohë shumë të shkurtër, në nivel operacional. Për luftën kundër terrorizmit kemi patur një shkëmbim shumë të mirë me zyrën tuaj këtu në Shqipëri. Janë zhvilluar trajnime për oficerët e Policisë Shqiptare kundër trafikimit të qënieve njerëzore, dhe mund të bëjmë më shumë në këtë drejtim pasi është një prioritet për ne. Zyra jonë është këtu për t’ju ndihmuar dhe për t’ju mbështetur me trajnime në çështjet e sipërpërmendura. Çdo gjë ka ecur gradualisht dhe në rendin e duhur”, është shprehur z. Bersin.

Z Jaupi ka shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe bashkëpunimin e Departamentit Amerikan përmes ICITAP, duke theksuar se trajnimet e vazhdueshme për oficerët e policisë shqiptare kanë sjellë rezultate në rritje në finalizimin e shumë operacioneve.

“Shpreh mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e marrë nga Departamenti Amerikan përmes ICITAP. Kemi patur marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi me sektorë të ndryshëm si DEA dhe agjenci të tjera ligjzbatuese amerikane. Gjithashtu kemi patur dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të ICITAP në shtrirjen e sistemit TIMS pas vitit 2004. Përmes tyre jemi përafruar me teknologjinë bashkëkohore dhe rezultate më të shpejta përmes shkëmbimit në kohë reale të informacionit. Suporti ka ardhur në vazhdim gjatë viteve, përmes trajnimeve të ndryshme nga ICITAP dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Ambasadën Amerikane, sërish me trajnime për oficerët e Policisë Shqiptare. Vlen të theksohet bashkëpunimi mjaft i mirë në drejtim të informacionit në luftën kundër elementeve radikalë dhe terrorizmit”, ka thënë z. Jaupi.

Top Channel