Papa Françesku mbush 80 vjeç, e nis ditën me meshë

17/12/2016 00:00

Duke mos dalë jashtë kornizave të thjeshtësisë se tij, Papa Françesku ka kërkuar të mos organizohet asnjë festë në nder të 80-vjetorit të tij në 17 dhjetor, duke e nisur ditën me një meshë për 60 kardinalë në kishën e Paulines.

Përpara meshës, Papa u urua nga kardinali Domenico Calcagno në emër të të gjithë kardinalëve. Më pas, kreu i Selisë së Shenjtë përfitoi nga rasti për të folur për pleqërinë, duke e quajtur atë një fjalë të shëmtuar e të frikshme.

“Prej pak ditësh një fjalë më vjen shpesh në mendje; pleqëria, ajo është e shëmtuar e më frikëson. Lutuni që pleqëria ime të jetë e qetë, fetare, e frytshme dhe e gëzueshme”, tha Papa.

Urimet për Papën argjentinas që gëzon popullaritet të madh për thjeshtësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve, vërshuan nga e gjithë bota.

Presidenti italian Matarela i shprehu atij mirënjohjen për solidarizimin në momentet e vështira të vendit. Ndërsa i përcolli urimet më të mira për ditëlindjen, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama e falenderoi atë për mbështetjen në normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Kubës dhe shprehu dëshirën që shembulli i përulësisë së Atit të Shenjtë të përhapej në të gjithë botën.

Vatikani krijoi 7 adresa email-esh ku çdo kush mund t’i dërgonte një kartolinë urimi 80-vjeçarit. Ndërkohë me rastin e përvjetorit, Vatikani publikoi të premten një stampë të re.

Top Channel